“Turizmi i qëndrueshëm dhe i përgjegjshëm për Rajonin e Matit mund të jetë një ndër burimet e punësimit dhe të të ardhurave.”

Kjo ishte tema kryesore e Tryezës së Rrumbullakët që Qendra për Bashkëpunim dhe Zhvillim Rajonal – RCDC, në bashkëpunim me Bashkinë Burrel, organizuan sot, me date 22 Tetor 2014, ora 10:30 në sallën e Pallatit te Kulturës Burrel. Iniciativa në kuadrin e së cilës u organizua ky eveniment është projekti “Mati Eko Destinacion”, financuar nga Agjensia për Mbështetjen e Shoqërisë Civile – AMSHC.

Të orientuar nga parimi i zhvillimit të qëndrueshem i rajoneve përmes zhvillimit ekonomik, social dhe mbrojtjes e përmirësimit të mjedisit, Qendra për Bashkëpunim dhe Zhvillim Rajonal – RCDC përzgjodhi Matin si një prej rajoneve ku mund të zbatohet me sukses iniciativa e Eko Destinacionit.

Rritja e interesit në turizmin e bazuar në natyrë apo ekoturizmin, si nga investitorët vendas e të huaj, ashtu edhe nga vizitorët, do të siguronte zhvillimin ekonomik të komunitetit të Matit dhe ruajtjen e mjedisit. Rajoni i Matit ka potencial mjedisor mbi të cilin mund të ngrihet një model i suksesshëm i turizmit të qëndrueshëm e të përgjegjshëm, por ky rajon ka nevojë për orientim drejt këtij zhvillimi. Aktualisht për Matin ka shumë pak studime lidhur me zhvillimin e qëndrueshëm përmes turizmit, detyrë e cila ndërmerret ose udhëhiqet nga autoritetet vendase në partneritet me palët e interesit.

Bashkia Burrel ka nisur punën në këtë drejtim duke hartuar dhe miratuar Strategjinë e Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Planin Strategjik. Turizmi përbën një prej shtyllave kryesore të zhvillimit sipas kesaj strategjie, megjithatë informacioni i dhënë per turizmin konsiston në një bazë të dhënash asetesh kulturore, natyrore dhe shërbimeve turistike të ofruara vetëm nga kjo bashki.

Në takim ishin të pranishëm persona të specializuar në fusha të tilla si: inxhinieri mjedisi, inxhinieri pyjore, historianë, gjeologë, mësues, përfaqësues të bashkisë dhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe biznesit. Gjatë diskutimeve u shkëmbyen ide dhe informacione se si mund të përmirësohet ekoturizmi në rrethin e Matit, duke qënë një zonë që disponon mjaft elemente natyrore të trashëgimisë kulturore.