Në kuadër të projektit “Gjithëpërfshirje dhe mundësi të barabarta në vendimarrje përmes E-pjesëmarrjes për një mirëqeverisje në Bashkinë Kavajë”, ditën e enjte, 25 Shkurt 2016, në ambientet e Restorant Poçeria e Vjetër në Kavaje, u organizua workshop-i me temë “Buxhetimi me Pjesëmarrje”.
Në përbërje të pjesëmarrësve ishin staf i administratës së bashkisë, përfaqësues nga njësitë e reja administrative si: Helmës, Luz i Vogël, Golem dhe Synej si dhe përfaqësues nga institucione të tjera në varësi të bashkisë.
Workshopi i organizuar pati qëllim:
1 – Njohjen e pjesëmarrësve me objektivat dhe procedurën e buxhetimit me pjesëmarrje dukesynuar ngritjen e kapaciteteve te tyre;
2 – Input nga pjesëmarrësit rreth eksperiencës së mëparshme me procesin e buxhetimit me pjesëmarrje.
Workshopi u fokusua në shtimin e njohurive të pjesëmarrësve mbi hartimin dhe konsultimin publik të buxhetit në Pushtetin Vendor, me qëllim përdorimin praktik të këtyre njohurive në të ardhmen.
- Vështrim i përgjithshëm mbi buxhetimin me pjesëmarrje;
- Objektivat dhe qellimi i BP;
- Përfitimet dhe sfidat e BP;
- Pjesëmarrësit dhe roli i aktorëve të përfshirë në BP;
- Rregulla dhe mënyra për të zbatuar ciklin e BP – Roli i organizatave të shoqërisë civile;
- Sondazhi, fokus grupet;
- Cikli i BP;
- Konsultimi mbi draft buxhetin (seancat dëgjimore);
- Roli i OJFve në BP;
Pjesa teorike u ndërthur me diskutime praktike për të kuptuar në rastin e Bashkisë Kavajë realizimin e procedurës së buxhetimit me pjesëmarrje.
Pjesëmarrësit pranuan se gjatë vitit të kaluar është përdorur metoda e sondazhit realizuar nga një organizatë jo qeveritare e cila ka shtrirë sondazhin në popullatë dhe rezultatet i ka bërë të ditura edhe për Bashkinë Kavajë.
Nënkryetari i Bashkisë, Z. Thoma Caushi pohoi se gjatë takimeve që Kryetari i bashkisë ka bërë me banorët si në bashkinë urbane edhe ne njësitë e shtuara rishtazi, proçesi i BP ka qenë i përqëndruar në mbledhjen e prioriteteve nga titullarët e njësive administrative pas reformës territoriale.
Drejtori i Zyrës së Taksave në Bashki hodhi diskutimin e rritje – uljeve të taksave vendore dhe vështirësisë së vjeljes së tyre për shkak të vështirësisë së klimës së biznesit. Ai theksoi se vetem grupet e interesit të biznesit kanë lobuar në bashki duke pasur problemin e pagesave të taksave lokale.
Drejtorja e financës në Bashki Adriana Hila, ndër të tjera, theksoi se në hartimin e proçesit buxhetor, kanë marrë në konsideratë punën e grupeve/departamenteve brenda bashkisë duke e kufizuar BP në procedurën zyrtare (pa përfshirjen e gjerë qytetare).
Ajo theksoi se komuniteti i Kavajës deri para reformës territoriale ka qenë shumë i vogël dhe stafi/ specialistët/komisionet brenda bashkisë, njëherazi banorë të Kavajës, i njohin problemet edhe pa dalë drejtëpërdrejtë në terren. Gjithashtu, shumë qytetarë vijnë një ditë në javë në takim me titullarin e Bashkisë dhe në këtë rast edhe ai informohet për prioritetet që kanë banorët.
Gjatë workshopit dhe ndërthurjes që relatorja Znj. Miriam Reçi i bëri së pjesës teorike me diskutimin praktik, u dhanë ide sesi mund të shfrytëzonin burimet lokale në proçesin e buxhetimit me pjesëmarrje.