Ditën e enjte, datë 6 shkurt 2014, në sallën e Hotel Aragostës u zhvillua konferenca për shtyp për promovimin e projektit Adriacold – Përhapja e Teknologjive Ftohëse dhe Freskuese duke përdorur si Burim Energjinë Diellore në rajonin e Adriatikut. Konferenca vijoi pas workshopit me temë “Promovimi i teknologjisë ftohëse duke përdorur burimin e energjisë diellore”.
Projekti financohet nga Bashkimi Europian, Programi IPA Adriatic 2007 – 2013 dhe ka një kohëzgjatje 30 muaj.

Qëllimi kryesor i projektit Adriacold është të promovojë përhapjen e një përdorimi më të gjërë të sistemeve energjitike alternative për kondicionimin e godinave publike dhe private të vendosura në territoret e lagura nga deti Adriatik, duke favorizuar bashkëpunimin ndërmjet enteve publike, instituteve shkencore, operatoreve ekonomikë në sektorin “ftohës” dhe përdoruesve me fuqi të vogël (të shkallës 30 -70 Kw).
Rajoni i Durresit është rajon me rrezatim diellor shumë të mirë dhe favorizon shfrytëzimin e energjisë diellore, një nga burimet alternative më të mira.

Kohët e fundit, kërkimet shkencore po synojnë përdorimin e energjisë diellore me anë të paneleve diellore, për të realizuar ftohjen e ajrit për freskimin e ambjenteve publike dhe private. Eksperimentet e deritanishëm të projekteve pilot, janë të suksesshëm dhe premtues. Nëpërmjet përdorimit të energjisë diellore në këto sisteme të ftohjes së ajrit, kursehet deri 80 % e energjisë elektrike, referuar sistemeve aktuale që janë në përdorim me anë të energjisë elektrike. Gjithashtu perdorimi i kesaj teknologjie ftohese ka nje ndikim te madh ne pakesimin e ndotjes ambientale duke minimizuar ne maksimum emetimin e karbonit .

Adriacold studion aplikimet në praktikë të teknologjive të Ftohjes Diellore me qëllim që të lehtësoje përdorimin, përhapjen e njohurive dhe te prezantoje leverdine ekonomike dhe ambientale.
Pas fazës së analizave dhe studimit të nevojave të ftohjes termike dhe identifikimit të teknologjive më të përshtatshme dhe efikase, projekti parashikon një fazë eksperimentimi, në të cilën do të instalohen 6 impiante-pilot në 3 vende partnere. Më pas do të kalohet në një fazë monitorimi dhe verifikimi të performancës, për të përfunduar me mbledhjen e të dhënave dhe hartimin e linjave udhëzuese, të nevojshme për aplikimin e këtyre teknologjive në struktura dhe vende të tjera, në kushte gjeografike të njëjta ose analoge.

Në workshop morën pjesë përfaqësues nga institucione qëndrore dhe lokale, njësi shërbimi dhe biznese private, kryesisht ato hoteliere të interesuara për përdorimin e teknologjisë ftohëse nëpërmjet paneleve diellore.

Pjesëmarrësit ishin aktiv duke u përfshirë në diskutime dhe duke shtruar pyetje të ndryshme për ekspertët e projektit lidhur me teknologjinë e re.

Axhenda

Ftesa

Brochure